Mbledhja e grupit parlamentar dhe kryesisë së PD-së e një dite më parë përcaktoi emrat e deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë që delegohen në rrethe për të mobilizuar qytetarët për protestat e paralajmëruara, që pritet të nisin në muajin shkurt.

Synimi i protestave të opozitës është rrëzimi i qeverisë Rama, gjë që është artikuluar tashmë qartë nga drejtuesit e opozitës së bashkuar.

Në qarkun e Durrësit, të deleguar për organizimin e protestave janë 3 deputetët e qarkut Oerd Bylykbashi, Fatbardha Kadiu dhe Florjon Mima, si dhe Çlirim Gjata, i zgjedhur së fundmi sekretar për çështjet ligjore në PD.

Një ditë më parë, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, njëkohësisht deputet i qarkut Durrës deklaroi para gazetarëve se çdo qytetar që ka një hall, çdo qytetar që ndihet i shkelur dhe i dhunuar, të ngrihet në protestë, për të mos vuajtur përgjithmonë arrogancën dhe hajdutërinë e këtij pushteti.