"Si në vitet '80 heroina po pushton si lumë Italinë e bosat e saj janë trafikantët shqiptarë."

Ky është denoncimi i bërë sot nga e përditshmja italiane "Il Giorno" e cila zbardh  detaje të operacionit "Shqiponja e zezë" të disa ditëve më parë ekzekutuar nga policia italiane në bashkëpunim me policinë shqiptare.

Si në vitet '80 kur heroina kishte pushtuar Italinë, e shkaktonte  rreth 100 të vdekur në vit, sot trafikohet lumë por jo më nga kalabrezët apo sicilianët,  por nga  bosat e rinj trafikantët shqiptarë. Sot komandojnë shqiptarët ndërsa shitjen me pakicë të saj e kontrollojnë trafikantët afrikanë gambezë.

"Gangsterët shqiptarë shkruan Il Giorno, të ardhur nga Durrësi e Tirana e kanë kthyer Milanon në një qëndër të heroinës, por jo vetëm për Italinë veriore por dhe për Zvicrën. E në rajonin e Lombardisë mafia shqiptare ka mundur të ngrejë dhe impiante të përpunimit të drogës, simptomë e vërtetë e fuqisë së saj organizative.

Operacioni "Shqiponja e zezë" pas tre vitesh investigimi çoi në arrestimin e 16 trafikantëve të gjithë shqiptarë që jetonin në rajonin e Lombardisë mes Milanos e Komos.

E sipas medias italiane bosi i këtij trafiku droge është Fatos Bakaj 50 vjeç, me rezidencë në Durrës e që të gjithë e thirrasin me emrin Pirro. Prej më shumë se 20 vitesh  që nga koha e gomoneve shkon e vjen  në Itali. Më vitin 2004 arrestohet në Romë si trafikant droge. Pas 3 vitesh në burgun e Modenas merr një leje dalje për sjellje të mirë e arratiset. Më 2012 arrestohet në Durrës, më 2013 ekstradohet në Itali e aktualisht ndodhet në burgun e Saluzzos. Por dhe nga burgu ai vazhdon të jetë bosi i drogës, pika e referimit të trafikantëve shqiptarë që kanë pushtuar tregun e Lombardisë.

Për kohë të gjatë, shkruan e përdishmja italiane, trafikantët shqiptarë kanë trafikuar marijuanë me gomone, ndërsa tani synojnë një stil më të lartë atë të heroinës e cila trafikohet falë kanaleve që kanë krijuar me zonat e prodhimit të saj në Afganistan. Shqiptarët sjellin në Lombardi heroinë me çmim të lirë duke joshur konsumatorët e vjetër të saj e duke krijuar të rinj.

Sipas medias italiane një tjetër emër i rëndësishëm i trafikut të heroinës në Itali, është ai i Shkëlzen Tafa, 38 vjec i cili është nën hijen e Fatos Bakaj e që operacioni "Shqiponja e zezë" i ka ngritur 14 akuza arrestimi. Së bashku me bashkëshorten Adelina Tafa, kishin shndërruar banesën e tyre në Komo në një laborator përpunimi e konfeksionimi të heroinës.

Sipas hetimeve të financës italiane financieri i këtij grupi trafikantësh ishte Alban Shehu, banues në Komo e që periodikisht merrej me pagesat e heroinës në Zvicër. Më pas paratë i dërgoheshin babait të tij, Tomorr Shehut në Shqipëri,  i cili ia shpërndante bosave lokalë të kësaj organizate. Hetimet e financës kanë zbardhur se mes Alban Shehut dhe babit të tij janë shkëmbyer rreth 1 milionë e gjysëm euro baraz me cmimin në Shqipëri të 100 kg heroinë.