Dy të rinj që po trafikonin 4 klandestinë nga vendet e treta për në ato të BE-së, janë arrestuar ditën e sotme.

Aksioni i koduar “Relay 4” u zhvillua në rrugën kombëtare Tiranë-Durrës, kurse destinacioni i parë ishte Kukësi dhe më pas nëpërmjet Kosovës për në vendet e BE-së, kundrejt pagesës.

Në pranga ranë Arlen Coku, 38 vjeç, banues në Tiranë dhe Endrit Tota, 35 vjeç, banues në Kukës.

Ndërkohë u sekuestruan automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe 2 celularë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i hetimeve të kryera gjatë disa javëve, me metoda speciale, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 2 shtetasve që bashkëpunonin për aktivitetin e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, finalizuan operacionin e koduar “Relay 4”. Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit: Arlen Coku, 38 vjeç, banues në Tiranë dhe Endrit Tota, 35 vjeç, banues në Kukës”, bëri me dije policia.

Në aksin rrugor Tiranë-Durrës, u ndalua automjeti me drejtues 38-vjeçarin dhe pasagjerë 4 emigrantë, të cilët po transportoheshin drejt Kukësit dhe më pas do të ndihmoheshin nga 35-vjeçari, për të kaluar ilegalisht në shtetet e BE-së.

“Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, vijon njoftimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.