Tre koordinatore për Durrësin për të riorganizuar Lidhjen Demokratike të Gruas. Edlira Devolli, Merita Çela dhe Aishe Gashi janë 3 koordinatoret e degës lokale të PD-së që prej disa kohësh po punojnë për të ringritur grupseksionet në Durrës dhe njësitë administrative.
Prioritet i punës së tyre mbeten anëtarësimet e reja dhe paralelisht me këtë do të zhvillohen zgjedhjet për secilin grupseksion.
Psikologia Edlira Devolli, e cila punon pranë Gjykatës së Durrësit është zgjedhur koordinatore për lagjet e qytetit.
Avokatja Merita Çela, që njëkohësisht mban edhe detyrën e kreut të departamentit për Politikat për Administratën Publike dhe Antikorrupsion në PD-në e Durrësit, mbulon lagjet periferike (Plazh, Shkozet dhe ish-Kënetë).
Ndërkohë ekonomistja Aishe Gashi mbulon 5 njësitë administrative (ish-komunat) të bashkisë Durrës.
Muajt e fundit në PD-në e Durrësit ka pësuar një ristrukturim dhe riorganizim të strukturave drejtuese dhe grupseksioneve dhe plotësimin e vakancave të krijuara ndër vite. Në këtë kuadër, në degën lokale janë zgjedhur krerët e 17 departamenteve që kanë rol këshillimor dhe drejtuesit e 4 sekretariateve funksionale të PD Durrës.
Javën e ardhshme, kreu i PD-së, Lulzim Basha, nis “Turin Kombëtar të Shpresës”, i cili do të ketë stacion të veçantë të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ndërkohë, sot, Basha zhvilloi takime prej orës 9:00 me kryetarët e degëve të Shqipërisë në selinë e PD, të cilët i ka porositur që të mbajnë kontakte me strukturat dhe të verifikojnë listat e zgjedhësve.
M.B.





