Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi mashtronin qytetarët duke u marrë mjetet e identifikimit.
Policia njofton se dy shtetasit, e identifikuar si Ardit Hoxha 28 vjeç, banues në fshatin Vidhisht, dhe Fatmir Sadiku, 29 vjeç, banues në Patos, me anë të kartave të identitetit, aplikonin për kredi.
Njoftimi:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar “Kredia”.
Iu merrnin qytetarëve, nëpërmjet mashtrimit, kartat e identitetit dhe i përdornin ato për të aplikuar për kredi, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimeve nga disa shtetas se mjetet e tyre të identifikimit ishin përdorur nga shtetas të tjerë, për të aplikuar për kredi, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe i punës së shpejtë hetimore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Ardit Hoxha 28 vjeç, banues në fshatin Vidhisht, dhe Fatmir Sadiku, 29 vjeç, banues në Patos.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet mashtrimit, iu merrnin qytetarëve, kartat e identitetit, dhe i përdornin ato për të aplikuar për kredi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularë, një shumë parash dhe disa fatura.
Vijon puna hetimore për të dokumentuar raste të tjera të mashtrimit që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.