Policia e Elbasanit njofton arrestimin e dy mjekëve që asistuan në operacionin e 25-vjeçares Rexhina Debrova që vdiq një ditë më parë duke sjellë në jetë fëmijën e saj.
Në pranga kanë rënë mjekët: kardiologu Mehmet Ibaj 54 vjeç, banues në Elbasan, dhe reanimatori Nikollaq Thano 60 vjeç, banues në Cërrik, pasi gjatë operacionit për lindjen e fëmijës ka ndërruar jetë shtetasja 25-vjeçare.
Nga të dhënat paraprake thuhet se Rexhina Debrova ishte paraqitur në maternitet në javën e 42-të të shtatzënisë, sipas mjekëve 2 javë me vonesë.
Edhe pse operacioni ka shkuar shumë mirë, menjëherë pas daljes nga salla, pacientja ka pësuar “suspect trombeoli pulmonare” e ashtuquajtur infarkt mushkërie.
Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë ngritur akuza ndaj stafit mjekësor, duke u shprehur se mjeku kardiolog është vonuar një orë dhe nuk ka mundur ta shpëtojë.
Autopsia do të zbardhë më tej shkaqet vdekjes së 25 vjeçares. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Elbasan për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”.





