Detaje të reja zbardhen nga ngjarja e rëndë që u shënua mesditën e kësaj të shtune në Kavajë, ku 47-vjeçari Skerdilajd Isufi u godit me thikë nga Landi Puja.

Rreth orës 14:22 shtetasi Land Ali Puja, banues në lagjen nr. 3, Kavajë, pas një konflikti të çastit, ka plagosur me thikë shtetasin Skerdilajd Enver Isufi, i cili ka ndërruar jetë. Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta në të njëjtën lagje.

Sipas informacioneve paraprake, viktima kishte parkuar automjetin para banesës së shtetasit Land Puja.

Ky i fundit ka dalë nga banesa dhe i ka kërkuar viktimës të largojë makinën, çka ka sjellë nisjen e një konflikti verbal mes tyre.

Gjatë debatit, viktima, dyshohet se i është përgjigjur në mënyrë të ashpër autorit. Në atë moment, Land Puja ka nxjerrë një mjet prerës (thikë) dhe e ka goditur viktimën dy herë në pjesën e zemrës.

Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Kavajë / Informacion shtesë

Në lidhje me informacionin e dhënë për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 3, Kavajë, ku dyshohet se për motive të dobëta një shtetas goditi me mjet prerës (thikë) një shtetas tjetër, i cili për pasojë ndërroi jetë në spital, sqarojmë se:

Pas verifikimeve të kryera rezultoi se autori i dyshuar është shtetasi L. D., alias L. P., 48 vjeç, banues në Kavajë.

Ndërsa shtetasi që ka humbur jetën si pasojë e goditjes me thikë ka gjeneralitetet S. V., alias S. I., 48 vjeç.

Shërbimet e Policisë po vijojnë ndjekjen për kapjen e autorit.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.