Policia ka bërë me dije se është goditur një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit, janë sekuestruar 13.5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, ndërsa është arrestuar në flagrancë një shtetas.

NJOFTIMI I PLOTË

Më datë 09.12.2017, në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, në Pikën Kufitare Tre Urat, Përmet, shërbimet e  Policisë Kufitare në bashkëpunim me  shërbimet doganore kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për  trafik të lëndëve narkotike. 

Në dalje të Republikës së Shqipërisë është paraqitur shtetasi Joan Haska me automjetin me targa AA 190 CN. 

Pas përfundimit të procedurave të kontrollit të dokumentacionit, punonjësit e Policisë Kufitare,  e kanë kaluar automjetin në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm. 

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë,  në një vend të përshtatur në shasin e mjetit u gjet lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sattiva.

Pesha totale e lëndës rezultoi 13.5 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve në D.V.P Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit :

Joan Haska, 36 vjeç , banues në fshatin Mashkullorë, Gjirokastër. 

Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve ", parashikuar nga neni 283/a  i Kodit Penal.