Është parandaluar një ngjarje kriminale në Kurbin. Një 21 vjeçar i quajtur Adrea Korriku po qarkullonte me pushkën e mbushur me fishekë në makinë, por në momentin që ka parë forcat e policisë është arratisur.
Sipas bluve, dyshohet se i riu kishte konflikt me një person.
“Qarkullonte me automjet i armatosur me armë zjarri dhe dyshohej se do të kryente ngjarje kriminale, 21-vjeçari braktisi automjetin dhe u largua kur pa shërbimet e Policisë. Gjatë kontrollit në automjet, Policia gjeti një armë zjarri pushkë me fishekë dhe një sasi fishekësh pistolete. Vijon puna për kapjen e 21-vjeçarit. Strukturat e parandalimit të krimit, të Komisariatit të Policisë Kurbin, sapo kanë marrë informacion se një shtetas (i cili më parë ishte konfliktuar me një shtetas tjetër, konflikt i padeklaruar në Polici) po qarkullonte me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën për bllokimin e automjetit dhe të shtetasit, me qëllim verifikimin e informacionit.
Gjatë kontrolleve për lokalizimin e këtij shtetasi, në Mamurras, në kuadër të operacionit policor të koduar “Parandalimi”, është bërë lokalizimi i automjetit me të cilin 21-vjeçari lëvizte dhe menjëherë i është bërë shenjë për të ndaluar. 21-vjeçari, sapo ka parë Policinë, ka braktisur mjetin në distancë dhe është larguar me shpejtësi. Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pushkë me municion luftarak, si dhe një sasi fishekësh pistolete, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Benz” që drejtonte 21-vjeçari”, thuhet në njoftimin zyrtar.