Një 31-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi akuzohet për vjedhjen e të gjitha orendive shtëpiake në banesën e një gruaje në qytetin e Elbasanit, por më pas i janë zbuluar edhe 4 vjedhje të tjera.

Shtetasi Samir Hida, 31 vjeç, banues në lagjen “11 Nëntori”, Elbasan u arrestuar në flagrancë pasi ka vjedhur në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, banesën e shtetases A.Q., ku ka vjedhur orendi shtëpiake (një televizor, një fshesë korrenti, një sobë dhe një karrocë dore).

Nga veprimet e kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, dyshohet se ky shtetas është edhe autor i katër vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë dhe konkretisht:

• Në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, Elbasan, ka vjedhur banesën e shtetases M.S, ku ka marrë rreth 1700 euro.

• Po në lagjen ” Brigada 17 Sulmuese”, ka vjedhur kasetofonin të mjetit tip “Audi” në pronësi të shtetasit S.S.

• Në lagjen “Partiazani”, Elbasan ka vjedhur me thyerje lokalin në pronësi të shtetasit A.Ç, ku ka marrë një televizor plazma dhe kasën fiskale.

• Në lagjen “Aqif Pasha”, Elbasan ka vjedhur disa matësa të ujit në një pallat.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një pjesë të sendeve të vjedhura nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.