Altin Hyso, një 45-vjeçar shqiptar ka humbur jetën mbrëmë në spitalin e Chietit në Itali, si pasojë e koronavirusit.
Presidenti i komunitetit italo-shqiptar në Valle Peligna, Luan Hallulli ka ngushëlluar në këto momente të vështira familjarët e 45-vjeçarit të vdekur mbrëmë, i cili la pas gruan me dy fëmijë.
“Është një tragjedi për ne dhe jemi të gjithë të tronditur. Çdo shqiptar që jeton në Valle Peligna besoj se ndien keqardhje sepse po vajtojmë një të ri që ka qenë shembull për të gjithë ne në qytetin e Sulmonës, falë bujarisë dhe përkushtimit në punë. Është një tragjedi që na ka mbërthyer në këtë moment të vështirë. Na vjen keq që nuk mund të marrim pjesë në ritet funebre. Por jemi përherë në dispozicion për të gjithë. Nuk pata rastin ta njihja mirë, por di që ishte punëtor i madh dhe të gjithë e donin.”, tha Hallulli.
Komuniteti italo-shqiptar iu është bashkuar ngushëllimeve për familjen.
“Luftove deri në fund kundër një përbindëshi të tmerrshëm”, komentuan disa miq.
Varrimi i të ndjerit u bë sot në orën 11 në varrezat e Sulmonës.





