Pas tetë vjetësh ka përfunduar gjykimi i shkallës së parë për vdekjen në portin e Livornos të punëtorit shqiptar Dashnor Quallia, 38 vjeç, i martuar, me dy fëmijë, të moshës 12 e 9 vjeç në kohën e tragjedisë, raportojnë mediet italiane.
Ishte në ditën e tij të parë të punës në Livorno, por ndërsa ishte ngjitur në bigën lundruese Mediterraneo për të kryer punime në anijen Amoretti, rrëshqiti duke përfunduar në det dhe u mbyt, pasi nuk ishte pajisur me xhiboks shpëtimi.
Procesi i shkallës së parë u mbyll me dënimin e gjashtë prej sipërmarrësve e manaxherëve. Ata akuzoheshin për vrasje pa dashje, pakujdesi në punë dhe dhunim të normave të parandalimit të dëmtimeve në punë.
Administratori i deleguar i firmës menaxhuese dhe shefi i sigurisë u dënuan me nga 18 muaj burg, ndërsa të tjerët me nga një vit.





