Policia e Maltës ka arrestuar dy shtetas shqiptar, pasi një prej të arrestuarve akuzohet se ka kryer grabitjen e argjendarisë “Diamonds International” disa ditë më parë.
Mediat vendase shkruajnë se shqiptari që besohet të jetë një nga dy grabitësit, që të armatosur dhe të maskuar grabitën “Diamonds International” në Tigné u kap në Paceville mbrëmjen e kaluar.
Punonjësit e policisë që kishin ngritur një patrullë në Paceville besohet se e kanë njohur shqiptarin ndërsa po pinte në një bar të njohur me një burrë tjetër shqiptar. Kur oficerët u afruan, personi drejtoi armën mbi ta, por nuk arriti të qëllonte.
Njëri prej tyre quhet Ramazan Hysa, 24-vjeçar e tjetri nuk është identifikuar ende.
Të dy shqiptarët u arrestuan por nuk dihet ende nëse personi që ishte në shoqërinë e autorit të dyshuar ka lidhje me krimin.





