Një i ri nga Shijaku është arrestuar në flagrancë nga Policia e Lushnjes, në kuadër të operacionit të koduar “Kristali”, pasi u kap me 103 gramë lëndë narkotike Kokainë.
Si rezultat i operacionit kundër shpërndarjes së drogave të forta, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Darvisjano Doku, 26 vjeç, banues në Shijak.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës” Lushnje, gjatë orëve të natës, nga kontrolli i ushtruar në mjetin tip “Renault”, u gjetën dy qese me lëndë narkotike e dyshuar Kokainë me peshë totale rreth 103 gramë. Droga u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar nga Neni 283/1 i Kodit Penal.





