Një 55-vjeçar u arrestua nga Policia në Gramsh, ndërsa në banesën e tij iu gjet një armë zjarri pa leje dhe një sasi municionesh. I arrestuari është Ismet Rama. Policia njoftoi se finalizoi operacionin policor të koduar “Indicia”.

“Në zbatim të planit të masave për të garantuar sundimin e ligjit në territor dhe në bazë të kallëzimit të një 53-vjeçari se kishte konflikt me fqinjin e tij, 55 vjeç, për dëmtimin e një peme frutore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh kanë organizuar punën dhe kanë kryer kontroll në banesën e 55-vjeçarit, në fshatin Shënmrizë.

Gjatë kontrolleve në banesën e 55-vjeçarit, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Indicia”, u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe 690 fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilat posedoheshin pa leje, nga ky shtetas.

Në përfundim të veprimeve procedurale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, arma dhe municioni, si dhe u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. R., 55 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prerja e druve dekorative dhe frutore”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njoftoi Policia.