Policia e Shkodrës ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së Piro Prronit, ngjarja e ndodhur një nate më parë. Në pranga ka rënë shtetasi Ndoc Maçaj, i cili mësohet se është vetë dorëzuar disa ore pas ngjarjes duke mos bere rezistencë.
Krimi ndodhi mbremjen e djeshme (28 gusht) në fshatin Abat të Shalës në Shkodër, ku viktimë ka mbetur 61-vjeçari Piro Prroni.
Sipas informacioneve, mendohet se viktima dhe autori i dyshuar janë kushërinj me njëri-tjetrin. Paraprakisht dyshohet shkaku ka qenë procesi për regjistrimin e tokave në Shalë, pasi të dy kanë pasur konflikt për një tokë vite më parë.
Policia bën me dije se është ngritur një grup i posaçëm hetimor për të zbardhur vrasjen dhe sqaruar rrethanat e dinamikën.
Policia lokale bëri me dije mbrëmë se, “rreth orës 20:00, në fshatin Abat, Shalë, shtetasi N. M., në rrethana ende të paqarta, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin P. P., 61 vjeç. Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes”.
Sipas të dhënave, viktima ishte me banim në Tiranë dhe është kthyer në zonë pikërisht për shkak të kryerjes së procesit të regjistrimit të tokës.
Njoftimi:
Shkodër/Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të vrasjes së 61-vjeçarit, mbrëmjen e djeshme, në fshtatin Abat.
Dyshohet se vrau me armë zjarri pistoletë, 61-vjeçarin, për motive të dobëta, arrestohet 58-vjeçari, i cili u vetëdorëzua disa orë pas ngjarjes, bashkë me armën e krimit.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit vunë në pranga shtetasin N. M., 58 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky dyshohet se dje, në fshatin Abat, Shalë, ka vrarë me armë zjarri pistoletë, për motive të dobëta, shtetasin P. P., 61 vjeç, banues në fshatin Abat.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar dy gëzhoja pistolete dhe 2 mjete prerëse (thikë dhe kmesë).
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.





