Policia spanjolle ka arrestuar në Madrid një shqiptar të dyshuar si kreu i një organizate të trafikut të kokainës. I arrestuari është Kreshnik Farruku, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arresti nga Italia në vitin 2018.
Shqiptari është emër i njohur për policinë spanjolle, pasi në vitin 2008 ka qenë i dyshuar dhe ndaj tij po hetohej për përfshirje vrasje dhe grabitje. Kreshnik Farruku u arrestua në muajin Prill të vitit të kaluar, por ishte arratisur nga qelia dhe ishte shpallur sërish në kërkim.
Në vitin 2007 u vra biznesmeni spanjoll Jose Luis Moreno, shefi i Kreshnik Farrukut. Ky i fundit dyshohej pikërisht si autor, megjithatë kjo pistë nuk u provua kurrë.
Ai u kap në një hotel në Madrid së bashku me vëllain e tij dhe një anëtar tjetër të organizatës. Kur agjentët e policisë iu afruan, ai tentoi të provonte se nuk ishte personi që kërkonin duke treguar identitet tjetër. Policia zbuloi se Kreshnik Farruku përdorte 10 identitete të ndryshme të rreme.





