Një 36-vjeçar ka rënë në pranga, pasi është deportuar nga Italia sepse ishte shpallur në kërkim për trafik droge dhe pastrim parash.

Burime zyrtare nga policia thanë se bëhet fjalë për shtetasin Dino Abazi, 36 vjeç. Ai akuzohet për 3 vepra penale ‘Trafikim i lëndëve narkotikë’, ‘Pastrim i produkteve të veprës penale’ dhe ‘Grup i strukturuar kriminal’, të parashikuara nga nenet 283/a, 287 & 333/a të Kodit Penal.

NJOFTIMI I POLICISE:

Ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafiku i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal”. Më datë 14.03.2018, nga Specialistët e Sektorit të Hetimit pranë Drejtorisë së Policisë Kufitare dhe Migracionit Durrës, u bë ndalimi i shtetasit në kërkim:

– Dino Abazi, 36 vjeç, lindur në Dibër, dhe banues në Vlorë.

Ky shtetas më datë 14.03.2018 ka ardhur i deportuar nga shteti italian dhe pas verifikimit nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në Drejtorinë e Policisë Kufitare dhe Migracionit Durrës, rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë pasi:

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, më datë 22.11.2017, ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, për veprat penale ‘Trafikim i lëndëve narkotikë’, ‘Pastrim i produkteve të veprës penale’ dhe ‘Grup i strukturuar kriminal’, të parashikuara nga nenet 283/a, 287 & 333/a të Kodit Penal.