Policia italiane ka arrestuar një shqiptar 31 vjeç, në kuadër të një operacioni antidrogë ku është arrestuar një tregtar i madh droge dhe janë sekuestruar 10 kilogram marijuanë dhe 800 gram kokainë. Ai quhet Besmir Myrtaj, dhe u arrestua teksa hipte në një Ford Fiesta të errët, prania e të cilës në zonë ishte raportuar më herët.
Sipas Ansa, gjatë kontrollit të ushtruar në makinën e tij, policia gjeti dy çelësa, ku njëra kopje ishte për të hapur një apartament në Via del Rio, të cilin e ka përdorur nën emrin e vëllait të tij binjak, Gazmentit, që sipas mediave italiane jeton në Shqipëri.
Myrtaj synonte të mashtronte inspektimet duke përdorur emrin e vëllait. Në apartament janë zbuluar edhe katër kilogramë materiale, përfshirë sheqer pluhur dhe sode buke, të cilat shërbenin për rritjen e volumit të kokainës.
Për të përzier drogën, përdorte një përzierës për ëmbëlsira. Vlera e parashikuar e drogave të sekuestruar është rreth gjysmë milionë euro. Hetuesit tani janë duke u përpjekur për të rindërtuar rrjetin e trafikut dhe për të mësuar se nga ka ardhur droga.





