Një ditë më parë, policia italiane goditi një bande shqiptare që shfrytëzonte 15 femra të kombësive të ndryshme për prostitucion në Napoli.
Mes shqiptarëve të arrestuar është edhe Asim Koleci, 31 vjeç që sipas medieve të vendit fqinjë, konsiderohet një nga bosët e bandës.
Ai ishte në kërkim që nga viti 2015. Sipas të njëjtave burime, në atë vit, shqiptari kishte arritur të siguronte nga shfrytëzimi i një rumuneje 20 mijë euro. Ndërkohë, nga një tjetër rumune, në harkun kohor korrik 2009-tetor 2011 kishte siguruar një fitim rreth 100 mijë euro.

Thuajse çdo fitim që vinte nga aktiviteti kriminal, përfundonte në duart e Kolecit (me banim në Villa Literno, komunë në Caserta).
Përveç shqiptarëve, torta ndahej edhe mes ukrainasve e rusëve. Ndërsa italianëve u mbeteshin vetëm, thërrimet. Siç është rasti me familjen Monaco nga Casaluce, e përbërë nga burri, gruaja dhe vajza e tyre. Të tre transportonin prostitutat në vendin e tyre të punës.
Për 30 euro një udhëtim, ata transportonin prostitutat në pika të ndryshme në Marcianise, Capodrise, San Marco Evangelista e San Nicola la Strada (të gjitha komuna në Caserta), ku priteshin nga klientë të ndryshëm.





