Dënohet me burg shqiptari Afrim Xhekaliu, 41 vjeç, i cili trafikoi me një gomone tetë shqiptarë, nga Franca në Britani, por që pas një avarie, rrezikuan seriozisht jetën. Mediat britanike bëjnë me dije se gomonia u shpëtua pasi ishte duke u mbytur nga dallgët dhe erërat e forta në kanalin e Lamanshit.
Ai e mohoi përfshirjen në trafik klandestinësh, por sipas policisë, në telefonin e tij u gjetën një sërë fotosh, që e implikojnë në trafik. Madje i janë gjetur edhe modele të ndryshe gomonesh, për të cilat duket se ai ka qenë i interesuar t’i blinte.
Provë në proces kanë qenë dhe disa mesazhe në celular. Në një shkëmbim mesazesh me tekst ai kërkon një kontakt: ‘Ne kemi udhëtimin e caktuar për të shtunën. Unë jam në Shqipëri. A do të kishit ndonjë që dëshiron të vijë atje?’
Kontakti i tij u përgjigj: ‘Po, do t’i bëj gati të premten dhe do t’ju njoftoj, shpresoj shumë njerëz’.
Afrim Xhekaliu, 41 vjeç, planifikoi të kalonte në Britani shtatë burra dhe një grua, të cilët ishin të gjithë shtetas shqiptarë, më 31 janar të këtij viti. Megjithëse ai mohoi përfshirjen në këtë operacion, një juri në “Lewes Crown Court” e shpalli atë fajtor duke e dënuar me gjashtë vite burg.
Xhekaliu, i cili jeton në Barnet, Londër, u arrestua në Eastbourne, pasi u gjet në një varkë me tetë emigrantë të paligjshëm në bord. Hetuesit besojnë se anija kishte nisur të lundronte nga Franca me destinacion Britaninë.





