Pas rreth një muaji e gjysmë nga dhunimi që iu bë një punonjësi të sigurisë portuale në portin e Durrësit, është bërë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes dhe zbulimi e arrestimi i autorit të tretë që ishte në kërkim.
Prokurori i çështjes Arjan Ndoj, me metoda speciale arriti dokumentimin me prova ligjore dhe zbulimin e personit dhunues, duke bërë të mundur dhe arrestimin e tij. Bëhet fjalë për shtetasin Ylli Agasi, i cili ka përfunduar në pranga këtë të mërkurë.
Ngjarja ka ndodhur më 25.02.2019, rreth orës 17:00, kur në hyrje të Portit, dy persona që u arrestuan në po të njëjtën ditë nga policia e Durrësit (shtetasit R.D.,38 vjeç, dhe H.B., 40 vjeç), në bashkëpunim me Ylli Agasin, kanë goditur me sende të forta në kokë (dyshohet tytë pistolete), punonjësin e shërbimit të Autoritetit Portual, i cili pasi mori ndihmë në spital, u largua pa rrezik për jetën.





