Policia italiane ka zbardhur identitetin e dy trafikantëve të drogës të arrestuar një ditë më parë në territorin italian, që u ndaluan me një kamion që ishte nisur nga Barcelona, në brendësi të të cilit u gjetën 206 kg marijuanë

Ata janë shqiptari Eduart Mecani 50 vjeç me origjinë nga Durrësi, dhe italiani Enzo Di Mauro 48 vjeç.

Sipas hetimeve italiane, shqiptari është i lidhur me klanin mafioz të “Ndrangheta”-s. Ai priste mbërritjen e kamionit nga Spanja për të shkarkuar ngarkesat me kanabis dhe për t’i transportuar më pas me furgon.

50-vjeçari shqiptar Eduart Mecani ka ndjekur lëvizjet e mjetit me ngarkesën e drogës së fshehur në materialet e ndërtimit, për ta transportuar më pas në furgonin e tij, ku dhe u sekuestrua nga policia italiane.

Operacioni i ndalimit të dy trafikantëve dhe sekuestrimi i drogës u krye në komunën Settimo Milanese në provincën e Milanos.

Durrsaku Eduart Mecani është një person me precedent penal në trafikun e drogës. Në vitin 2009 ai është arrestuar nga policia italiane me akuzën e trafikimit të rreth 250 kg marijuanë, 60 prej të cilave iu gjetën në një makinë tip “Fiat Croma” e marrë me qira në aeroportin  “Linate” të Milanos dhe 190 kg të tjera në një garazhd në zotërim të tij. Ndërsa në banesë, fshehur në kasafortë i janë gjetur rreth 300 mijë euro.

Mediet italiane raportojnë se ekziston një rrjet i madh në Spanjë i përbërë nga ndërmjetësues dhe furnizues direkt të drogës që importohet nga Afrika e Veriut. Rol të rëndësishëm kanë edhe shqiptarët, të cilët presin ngarkesat që mbërrijnë. Më pas lënda narkotike ngarkohet në kamion për transport nga persona të tjerë që kanë këtë detyrë dhe në fund shitet në tregun e pakicës.