Një person nga Tirana ka përfunduar në prangat e policisë gjatë paradites së sotme pasi akuzohet si i dyshuar për falsifikimin e dokumenteve për në Angli me qëllim azilin.

Burime policore bëjnë me dije se i arrestuari është identifikuar si Eduart Tafçiu, 38 vjeç, banues  në Tiranë, i dënuar më parë për "Vjedhje me armë" dhe "Shkatërrim të rrjetit ujësjellësit". Ndaj këtij personi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë "Arrest me burg".

Nga Seksioni për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë  në korrik të vitit 2017, janë referuar materialet  në ngarkim të Eduart Tafçiut, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Procedimi është ndjekur me metoda speciale të hetimit, ku është bërë sigurimi i provave nga i dyshuari, i cili merrte përsipër sipas porosive të të interesuarve, bërjen në mënyrë të falsifikuar të kartave të identitetit, karta shëndeti dhe patenta Italiane, me qëllim nisjen e personave në mënyre të paligjshme me destinacion Anglinë.

Gjatë arrestimit, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 automjete, 2 laptop dhe një DVR. Një bllok shënimesh me emra dhe shënime për shtetas të ndryshëm në interes të aktivitetit që kryente. 

Shumën prej 30.000 lekë të reja, 3 aparate celulari, 1 pajisje elektronike me mbishkrim “Mini Money Detector” UV, 5 copë mbajtëse dokumenti material plastik i tejdukshëm, 1 Faturë Exchange&Wester Union “Union Selvia” blerje eurosh, 2 formate letre me shënime dore.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.