Një 20-vjeçar është shpallu në kërkim nga policia, pasi dyshohet se kishte fshehur në banesën e një shtetaseje të moshuar me probleme të shëndetit mendor, armët e zjarrit. Bëhet e ditur se në pranga ka rënë Samuel Qendraj, i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. 

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që kishte fshehur 2 armë zjarri, në një banesë, shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Gjirokastër, kryen veprimet hetimore dhe operacionale për gjetjen e armëve dhe identifikimin e poseduesit.    

Si rezultat, në Memaliaj, gjatë kontrollit në banesën së 72 vjeçares që e kishte në përdorim,  në një dhomë që shërbente si magazinë, shërbimet e Policisë kanë gjetur brenda një çante sportive, 2 armë zjarri kallashnikov.    

Nga hetimet dyshohet se armët janë fshehur në këtë banesë, nga shtetasi S. Q., 20 vjeç, banues në Memaliaj, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij. Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për rastin dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.