Një nga dy personat që mbeti i plagosur dje me armë zjarri në Fier, pasi ndërhyri për të ndalur agresorët të grabisnin një pikë këmbimi valutor ka ndërruar jetë.
Mësohet se Agur Vrenozi 53 vjeç nuk ka munduar t’i shpëtojë plagëve dhe ka ndërruar jetë sot në spitalin e Traumës.
Ai ndërhyri për të ndihmuar pronarin e pikës së këmbimit valutor por është qëlluar me armë zjarri në kokë nga grabitësit.
Ndërkohë mësohet se pronari i këmbimit valutor, Gëzim Hoxha është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:55 të së shtunës ku dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një pikë së Exhange pranë “Zogut të Zi” në Fier.
Ata kanë plagosur pronarin e pikës së këmbimit valutor, Gëzim Hoxhën dhe 53-vjeçarin Agur Vrenozi, pronar i godinës ku ndodhet pika e këmbimit valutor.
Grabitësit kanë qëlluar dhe janë larguar me një makinë tip “Benz” me targa AA879JG, ku priste bashkëpunëtori i tyre.
Policia arrestoi disa orë më vonë në flagrancë shtetasit:
Zini Fyraj, 37 vjeç, banues në Sevaster, Vlorë.
Lulëzim Demiraj, banues në Vajzë, Vlorë.
Dashamir Gergali, 41 vjeç, banues në Zhupan, Fier.
Si rezultat i ndjekjes nga policia, autorët braktisën mjetin dhe u larguan me vrap në këmbë.
Policia kapi fillimisht njërin prej autorëve i cili në përpjekje për t’i shpëtuar policisë u hodh në lumin pranë fshatit Baltëz.
Pas ndjekjes u kap autori i dytë në vendin e quajtur “Ura e Baltëzës” si edhe autori i tretë në një banesë në fshatin Baltëz. Policia ka sekuestruar çantën me paratë që u vodhën në exchange. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





