23-vjeçari Xhimi Bakaj ka hubur jetën këtë të premte, pasi u qëllua me thikë nga 39-vjeçari Xhuliano Miho në rrugën “Ramiz Aranitasi” në Fier. Shkak për vrasjen e të riut dyshohet se është bërë divorci mes autorit dhe bashkëshortes me të cilën ka dy fëmijë.

Mësohet se gruaja kishte disa muaj që ishte larguar nga banesa dhe bashkëjetonte me 23-vjeçarin. Ndërkohë autori e ka takuar në rrugë viktimën dhe pas një debati e ka qëlluar tri herë me thikë. Policia njoftoi se pas ngjarjes, 39-vjeçari është arrestuar.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 21:00, në rrugën “Ramiz Aranitasi”, shtetasi Xh. M., 39 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin Xh. B., 23 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital.

Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në Polici shtetasin Xh. M., dhe po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.