Gjykata e Posaçme ka caktuar vazhdimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 30-vjeçarin shqiptar të ekstraduar nga Madridi, i cili kauzohet për trafik droge.
Në njoftimin zyrtar GJKKO njofton vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” të caktuar ndaj të hetuarit Fabion Gjoni, ndërsa urdhëron policinë gjyqësore ta dërgojë në një institut paraburgimi të përshtatshëm për moshën e tij.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 28.02.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje të personit të arrestuar Fabion Gjoni”, baza ligjore neni 248 i K.Pr.Penale.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 112, 248, 228, 229, 230, 244, 232/dh, dhe 238 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 27, datë 02.03.2025 vendosi:
1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” të caktuar ndaj të hetuarit Fabion Gjoni, i biri i Zef dhe i Antonjeta, i datëlindjes 13.07.1995 (08.04.1991), lindur në **** dhe banues në ****, me gjendje civile beqar (në bashkëjetesë), me gjendje gjyqësore i padënuar më parë, me kombësi e shtetësi
shqiptare, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, “Kultivim i bimëve narkotike”, parashikuar përkatësisht nga neni 283 paragrafi i dytë, 284 paragrafi i dytë të Kodit Penal, e caktuar me vendimin me nr. 535, datë 20.09.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit tëPërgjithshëm, Shkodër.
2. Urdhërohet policia gjyqësore ta dërgojë në një institut paraburgimi të përshtatshëm për moshën e tij.
3. Kundër këtij vendimi lejohet ankim, në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 5 (pesë) ditëve duke filluar nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
Në vitin 2023, Gjykata e Shkodrës ka caktuar ndaj Gjonit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Policia sqaron se në muajin tetor 2022, në afërsi të banesës së 30-vjeçarit, u zbulua një serë, ku ishin kultivuar bimë narkotike, ndërsa në afërsi të serës u gjetën rreth 87 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, në proces tharjeje.





