Një 26-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim prej katër vitesh është arrestuar sot nga policia. Ai është Besard Pashkaj, për të cilin gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Pashkaj akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Besard Pashkaj, 26 vjeç ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se është bashkëpuntor në ngjarjen e ndodhur më 24 korrik të vitit 2021. Ku pas një konflikti në rrugën “Todi Shkurti” në kryeqytet, Aldo Gjini plagosi Jetmir Marashin dhe Altin Gjokën.

Në atë kohë Aldo (Iamandi) Gjini u shpall në kërkim dhe rezultoi të ishte një nga personat më të kërkuar në Europë me një dosje të gjatë kriminale. Ndërsa në kërkim u shpallën edhe Njazi Kulla dhe i arrestuari Besard Pashkaj, të cilët dyshohen si bashkëpunëtorë të autorit të ngjarjes. 

Njoftimi i policisë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për ndalimin e shtetasit në kërkim B. P., 26 vjeç, për të cilin Gjykata ka caktuar masën e sigurisë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.