Një 52-vjeçari është arrestuar nga Policia e Mirditës pasi dyshohet për djegien e qëllimshme të një dyqani me materiale të përdorura dhe tentativën për të djegur një gomisteri.

Ngjarja ndodhi pasi policia mori njoftimin se në dyqan, në pronësi të shtetasit Gj. D., kishte rënë zjarr, ndërsa në gomisterinë e shtetasit A. P. ishin djegur disa goma me qëllim dëmtimin e objektit.

Autori i dyshuar, shtetasi Luan Vuka alias Artan Vuka, 52 vjeç, banues në fshatin Ndërfushaz, Mirditë, ka precedentë kriminalë, duke përfshirë: dhunë në familje, goditje ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim prone, mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Pas finalizimit të operacionit, 52-vjeçari u arrestua për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet për dokumentimin ligjor të plotë të dy rasteve të zjarrvënies vazhdojnë.