Emiljano Ramazani, 39 vjeç, është personi që iu bë atentat pasditen e sotme në Elbasan, ku për pasojë ka ndërruar jetë.

Ramazani është një emër i njohur nga policia dhe është arrestuar disa here për shpërndarje droge, kryesisht kokaine.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në lagjen “28 nëntori” në Elbasan dhe mësohet së viktima është qëlluar ndërsa ishte në makinë.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e policisë, forcat RENEA, ato të FNSH dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Njoftimi i policisë:

Elbasan/Informacion paraprak

Në Elbasan, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i luleve”, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi E. R. 39 vjeç Autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Bradashesh-Paper, në një ullishte i kanë vënë zjarrin mjetit dhe janë larguar në kodrat përballë Paperit.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjeke të autorëve, po bëhet rrethimi i zonës nga dyshohet se mund të jenë larguar autorët, si dhe janë ngritur menjëherë pika kontrolli në akset rrugore Elbasan-Rrogozhinë, Elbasan-Tiranë dhe Elbasan-Belsh. Në ndihmë të Policisë lokale janë nsiur FNSH dhe RENEA, si dhe një grup specialistësh të Departamentit të Policisë Kriminale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.