Një 43-vjeçar është vënë në prangat e policisë për shkak se është kapur me 2 kg heroinë dhe 2 armë zjarri.

Në kuadër të operacionit të koduar “AKSI”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, gjatë kontrollit të imtësishëm të automjetit tip “Renault” me drejtues shtetasin Genci Drita, në bagazhin e modifikuar të këtij mjeti kanë gjetur dhe sekuestruar 2 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë 2 kg dhe 2 armë zjarri kallashnikov.

Operacioni u bazua dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që po qarkullonte me mjet në aksin rrugor Shkodër-Lezhë dyshohej se po transportonte lëndë narkotike dhe armë zjarri.

Ndaj 43-vjeçarit me banim në Tiranë, rëndojnë veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.