Italia e kërkonte për aktivitet në korrupsion dhe trafik droge, kapet i fshehur në Berat 64-vjeçari.

Policia vendore bëri sot (23 shkurt) me dije se identifikoi dhe ndaloi Adriano Patozin, që mbante edhe identitet të dytë, për qëllime ekstradimi drejt Italisë.

“Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale dhe shkëmbimit të informacionit me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës, shërbimet e qarkullimit rrugor dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ndaluan me qëllim ekstradimin, shtetasin A. P.(P.), 64 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Venecias i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për prodhim/shitje narkotikësh dhe korrupsion.

“Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit A. P.(P.), në Itali”, sqaron policia.