Një ngjarje që u raportua fillimisht si shpërthim tritoli në Vlorë, rezulton të jetë një plagosje me armë zjarri.

Policia lokale bën me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme ku ka përfunduar i plagosur në spital shtetasi Elius Thartori, 36 vjeç, i cili sipas policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 36-vjeçari është dënuar më herët për vrasje. Ai ka qenë jashtë vendit dhe ishte kthyer së fundmi.

Mësohet se Eljus Thartori ka qenë mësues fiskulture prej 8 vitesh në shkollën 9-vjeçare “Teli Ndini”, ndërsa rezulton i dënuar me 10 vite burg me akuzën e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Ai është bërë edhe protagonist i një emisioni investigativ 3 vite më parë, ku u filmua teksa luante letra me nxënësit në shkollë dhe përdorte fjalor banal.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 19:23, në Spitalin Rajonal të Vlorës ka shkuar i plagosur dyshohet me armë zjarri shtetasi Elius Thartori, 36 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

36 vjeçari ka qenë në ballkonin e banesës së tij në lagjen “10 Korriku” dhe në rrethana ende të paqarta dyshohet se është plagosur me armë zjarri

Grupi hetimor po vijon hetimet për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.