Policia e Durrësit finalizoi operacionin e koduar “Pagesa e fundit” duke arrestuar një 26-vjeçar, i cili ishte i shpallur në kërkim pasi shantazhonte dhe kanoste një shtetase duke i marrë vlera monetare.

Policia ndaloi shtetasin Mirvin Koni, 26 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes apo dhunës për dhënie pasurie”, pasi në mënyrë të përsëritur, ka shantazhuar dhe kanosur një shtetase, duke i kërkuar shuma të ndryshme të vlerave monetare ose në të kundërt do publikonte në rrjete sociale foto intime.

Gjatë kapjes dhe ndalimit nga forcat e policisë, ky shtetas po tërhiqte një sasi vlere monetare në një pikë të transferimit të parave, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.