Policia italiane ka goditur një grup trafikantësh që ishin pagëzuar me noftën e “Tragtarëve të Vdekjes” si dhe ka vënë në pranga furnizuesin e tyre, një shqiptar.

Grupi trafikonte kokainë dhe heroinë ndërsa xhiro javore e tyre i kalonte 60 mijë eurot. Koka e grupit ishte 40 vjeçari italian Luigi De Cesare, ndërsa furnitori i grupit, një shqiptar 43-vjeçar me emrin Tafil Lecini.

Grupi i trafikantëve e kryente biznesin e tij në qytetin e Napolit, në Berardino Scampia. Trafikantët kishin gjithashtu një kod komunikimi mes tyre, për t’ju shmangur përgjimeve të mundshme të policisë.

Madje e folura me kod u ishte shpërndarë fshehtas edhe blerësve të kokainës e heroinës.

Policia ka hetuar 3 muaj dhe në përmbyllje të operacionit ka sekuestruar 8 kg heroinë ose 15.750 doza, si dhe 1 kg kokainë. Rreth 650 mijë euro do të fitonin trafikantët nëse do të vijonin të shisnin drogën.