Një 34-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tropojës pasi akuzohet për trafik të armëve të paligjshme.
Mësohet se në prangat e Policisë ka rënë 34-vjeçari Sahit Dega, i cili transportonte armë drejt Kosovës me qëllim trafikimin e tyre.
Gjatë operacionit u gjetën 3 armë zjarri (dy automatikë dhe një pistoletë Glock) dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Shoshan”.
Operacioni i zhvilluar nga DVP Kukës, Komisariati i Policisë Tropojë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tropojë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Transportone armë zjarri me qëllim trafikimin drejt Kosovës, kapet e vihet në pranga 34-vjeçari.
Sekuestrohen 3 armë zjarri (dy automatikë dhe një pistoletë Glock) dhe municion luftarak. Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative për një shtetas që tentonte të trafikonte armë zjarri drejt Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rethit Gjyqësor Tropojë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar ” Shoshan”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:
– Sahit Dega, 34 vjeç, banues në Shoshan, Tropojë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, gjatë kohës që me automjetin e tij “Volksëagen”, po transportonte dy armë zjarri automatikë, 1 armë zjarri pistoletë tip “Glock” dhe sasi municioni luftarak, në aksin rrugor Shoshan-Bajram Curri, në vendin e quajtur “Ura e Shtrenjtit”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Armët e sekuestruara do dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë për ekzaminime të mëtjeshme, nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.





