Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Bolonjës në Itali, ku një djalë 12-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën pasi ka rënë nga një pallat.

Sipas mediave italiane, viktima është Louis Pisha, i cili ndodhej në tarracën e një godine në Via Piave, bashkë me dy shokë të tij, kur ndodhi aksidenti fatal.

Nga rindërtimi paraprak i ngjarjes nga policisë së komisariatit Santa Viola, mësohet se i mituri ka hipur mbi një dritare në çati prej plastike, transparente, i cili është thyer papritur nën peshën e tij.

Fillimisht, 12-vjeçari ka mbetur i varur dhe shokët janë përpjekur ta ndihmojnë duke e kapur, por nuk kanë arritur ta shpëtojnë. Për pasojë, ai ka rënë nga kati i tetë dhe ka ndërruar jetë në vend.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e emergjencës 118, policia dhe zjarrfikësit, por për fat të keq çdo përpjekje për ta mbajtur në jetë ka rezultuar e kotë.

Mësohet se 12-vjeçari nuk jetonte në pallatin ku ndodhi aksidenti. Pak më vonë në vendngjarje kanë mbërritur prindërit dhe të afërmit e tij, ndërsa skenat e dhimbjes kanë qenë rrëqethëse. Nëna e të miturit, e tronditur, është shembur në tokë mes lotësh, duke kërkuar të dijë se çfarë kishte ndodhur me të birin.

“Ka vdekur, më thoni çfarë ndodhi”, ishin fjalët rrëqethëse të nënës së 12-vjeçarit.

Kjo është tragjedia e dytë që godet këtë zonë, pasi në vitin 2024 një tjetër i ri, 17-vjeçari Fallou Sall, humbi jetën pasi u godit me thikë gjatë një konflikti pranë të njëjtit pallat. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.