Akuzohej si bashkëpunëtor për kultivimin e 10 274 bimëve narkotike, në fshatin Kir të Shkodrës, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari i kërkuar.

I arrestuari është Mhill Shpati, banues në fshatin Bardhaj. Kapja e tij u bë pas finalizimit të aksionit të koduar “Forest 1” (Pylli).

Ndaj Shpatit Gjykata e Shkodrës kishte dhënë masë sigurie “arrest me burg” në mungesë. Ai u lokalizua dhe zbulua se ku fshihej pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Tre persona janë arrestuar gjatë operacionit të dy viteve më parë dhe 6 të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia e Shkodrës nën akuzën e kultivimit të 10 274 bimëve narkotike të llojit kanabis.

Në pranga kanë rënë më 10 gusht 2023 të dyshuarit Arben Shpati 34 vjeç, Pavlin Shpati, 41 vjeç Aurel Fejzo, 23 vjeç. Kurse në kërkim u shpallën: Gjovalin Shpati, 37 vjeç, Artan Shpati, 30 vjeç, Aleksandër Shpati, 34 vjeç, Fatmir Shpati, 34 vjeç, Mhill Shpati, 31 vjeç, i arrestuar sot dhe Aleksandër Rrasa, 23 vjeç, banues në fshatrat Bardhaj dhe Grude e Re.

Njoftimi i Policisë së Shkodrës:

Finalizohet operacioni i koduar “Forest 1”. Akuzohet si bashkëpunëtor për kultivimin e 10 274 bimëve narkotike, në fshatin Kir, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Forest 1”. Gjatë operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi:

-M. Sh., 33 vjeç, banues në fshatin Bardhaj.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. 33-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetas të tjerë, për kultivimin e 10 274 bimëve narkotike kanabis, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, më datë 10.08.2023.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme”.