Policia e Shkodrës ka dhënë informacione zyrtare për 204 kg marijuanë të kapur në Malësinë e Madhe dhe arrestimin e një 33-vjeçari si edhe shpalljen në kërkim të një tjetri. 

Mësohet se në sajë të operacionit policor "Liqeni" në pranga ka rënë shtetasi Marjan Kurteza, banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër.

NJOFTIMI I POLICISË

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, u zhvillua operacioni i koduar “Liqeni“, ku si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi: M. K. 33 vjeç në banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. B, 35 vjeç, banues në Shkodër

Në bazë të informacioneve policore dhe punë operative policore të bërë në lidhje me një grup kriminal që kryenin organizimin, financimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike (Marijuanë) nga qyteti i Shkodrës në drejtim të Malit të Zi, në orët e para të mëngjezit të sotëm është marrë informacion se dy shtetas po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike.

Mbi bazën e këtyre informacioneve është zhvilluar operacioni i koduar "Liqeni".

Si rezultat në breg të liqenit Shkodër u bë kapja në flagrancë e shtetasit M.K si dhe u shpall në kërkim D. B.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 204 kg Marijuanë, 2 mjete një tip Land Rover dhe një mjet tip Mercedes Benz , 4 telefona celularë, si dhe mjete që i përdornin për paketim e lëndës narkotike.

Operacioni vijon për kapjen e shtetasit D.B.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet proceduriale i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, pasi dyshohet për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve“ kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimit e shitjes së narkotikëve kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 283/a/2 -22 dhe 283/2 të Kodit Penal.