Ka shkuar në 37 numri i personave të arrestuar në kuadër të operacionit “Mezhgorani”. Në pranga përfundoi shtetasi Brahim Maraj, 32 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Moskallëzim krimi”. Ndaj tij gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Kujtojmë se 5 ditë më parë, pas një hetimi 6-mujor u finalizua operacioni “Mezhgorani”, në kuadër të të cilit u arrestuan, u ndaluan dhe u proceduan 53 shtetas. Gjatë operacionit u sekuestruan 3 pushkë automatike me silenciator, 2 kallashnikov, 10 kallëpe tritol, 620 fishekë, 2 granata difensive si dhe 71 krehër fishekësh. Po ashtu, gjatë aksionit u sekuestruan 20 automjete te markave të ndryshme, 40 telefona celular, dokumente noteriale, kontrata, certifikata pronësie të ndryshme, rreth 130 kg kanabis, shuma prej 10 milion lekësh, 7500 euro, si dhe 3500 euro të dyshuara të falsifikuara.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Mezhgorani”.





