Është vënë në pranga pas 3 muajsh në kërkim 24-vjeçari i cili organizoi transportimin e 7 emigrantëve, të cilët humbën jetën së bashku me drejtuesin e automjetit në një aksident rrugor në aksin “Këlcyrë-Përmet” më 2 prill  të këtij viti.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë 24-vjeçari Stiviljano Ndou i shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës.

Gjatë ndalimit nga policia, i riu tentoi t’iu ikte shërbimeve të Policisë së Shkodrës me motomjetin me të cilin lëvizte, por nuk arriti të largohej.

Për Stiviljano Ndouu Prokuroria e Gjirokastrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Ndou, kundrejt pagesës ka organizuar në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë (drejtuesin e automjetit, i cili humbi jetën në aksident, dhe me shtetasit A. Gj. dhe R. D., të cilët u arrestuan më datë 03.04.2024), transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, me destinacion shtetet e BE-së.