Po transportonte me automjet, kundrejt pagesës, 13 emigrantë nga Egjipti, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin në vendet e BE-së, kapet në flagrancë gjatë natës në fshatin Xarrë dhe vihet në pranga 27-vjeçari i dyshuar.

I arrestuari i aksionit të koduar “Distanca” është Erind Yzeiraj, banues në Patos.

Aksioni erdhi pas informacioneve në rrugë operative dhe kontrolleve në brezin kufitar. Si provë materiale u sekuestrua edhe mjeti me të cilin bëhej transporti i klandestinëve drejt vendeve të BE-së.

Njoftimi i Policisë Sarandë:

“Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve intensive dhe punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Distanca”, për goditjen e një rasti të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufijve. Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi:

-E. Y., 27 vjeç, banues në Patos.

Ky shtetas u kap në flagrancë, gjatë natës, në fshatin Xarrë, duke transportuar me automjet, 13 emigrantë nga Egjipti, kundrejt pagesës. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hyrë ilegalisht në Shqipëri, nga kufiri me Greqinë, dhe synonin të kalonin ilegalisht në vendet e tjera të BE-së.

Automjeti më të cilin transportoheshin emigrantët u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.