Një plagosje me thikë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Shkodër.
30-vjeçari Petrit Isaj ka goditur me thikë në dorë dhe fytyrë inspektorin e patrullës së përgjithshme.
Uniformat blu kishin shkuar në vendngjarje pas marrjes së një njoftimi për dhunë në familje.
Petrit Isaj, sipas informacioneve, njihet si përdorues i lëndëve narkotike. Ai dyshohet se plagosjen e ka kryer gjatë kohës që ishte nën efektin e narkotikëve.
“Rreth orës 20:15, Patrulla e Përgjithshme ka shkuar në lagjen “Guerile”, pasi ka marrë njoftim për një rast dhune në familje.
Në momentin që punonjësit e Policisë kanë shkuar te banesa e shtetasit P. I, 30 vjeç, (person me precedent kriminal), ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë dhe ka dëmtuar lehtë me mjet prerës (thikë), në dorë dhe fytyrë një nga punonjësit e Patrullës së Përgjithshme, Inspektor K. Ç.
Në mbështetje të Patrullës së Përgjithshme ka shkuar dhe një tjetër Patrullë e Përgjithshme duke neutralizuar shtetasin P. I, i cili u shoqërua në spital nga ekipi i urgjencës së spitalit i shoqëruar nga Patrulla e Përgjithshme.
Pas kryerjes së injeksionit qetësues 30-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për sqarimin rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.