Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjykatë 77-vjeçarin, Nazif Musai, i cili vrau vëllain e tij Haziz Musai duke e qëlluar me plumb në kokë pas një sherri mes tyre për motive pronësie.

Ndaj të moshuarit janë ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Krimi i rëndë ndodhi mëngjesin e 6 marsit 2024 në fshatin Çukas i Ri, ku dy vëllezërit fillimisht u konfliktuar fizikisht dhe më pas viktima goditi autorin me sëpatë. Ky i fundit e qëlloi me armë zjarri duke i shkaktuar vdekje.

“Nga hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr.379, të vitit 2024, rezultoi e provuar se në datë 06.03.2024, rreth orës 08:00, në fshatin Çukas i Ri, Njësia Administrative Allkaj, Bashkia Lushnjë, ka pasur një konflikt fizik mes shtetasve N.M dhe A.M, vëllezër me njëri-tjetrin, lidhur me çështje pronësie.

Gjatë këtij konflikti, i pandehuri N.M, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të vëllait të tij, viktimës A.M, duke i shkaktuar atij humbjen e jetës”, njoftoi policia.

Njoftimi i policisë:

Prokuroria e Fierit mbyll hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin N.M. në akuzë për ‘Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin N.M., i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 79/c dhe 278/1 të Kodit Penal.

Nga hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr.379, të vitit 2024, rezultoi e provuar se në datë 06.03.2024, rreth orës 08:00, në fshatin Çukas i Ri, Njësia Administrative Allkaj, Bashkia Lushnjë, ka pasur një konflikt fizik mes shtetasve N.M dhe A.M, vëllezër me njëri-tjetrin, lidhur me çështje pronësie.

Gjatë këtij konflikti, i pandehuri N.M, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të vëllait të tij, viktimës A.M, duke i shkaktuar atij humbjen e jetës.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

NGJARJA

Në fshatin Çukës të Lushnjës, dy vëllezërit u përfshinë në konflikt për çështje pronësie. Shkak për sherrin që nisi me sëpata e përfundoi te përdorimi i pistoletës është bërë një sipërfaqe e vogël toke, e cila ndodhet mes dy shtëpive të vëllezërve Musai.

Vëllezërit nuk kishin gjetur dakordësinë për ta përdorur këtë tokë si rrugë për të futur makinat në oborret e shtëpive.

Fillimisht Haziz Musai 70-vjeç ka goditur me sëpatë të vëllanë, Nazifin 77-vjeç, duke i shkaktuar plagë në trup. Më pas 77-vjecari ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në kokë vëllanë.

70-vjecari Haziz Musai u dërgua menjëherë në spitalin e Traumës, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.

‘Dy vëllezër pas një konflikti për motive pronësie, fillimisht me sende të forta, konflikti ka agravuar në përdorimin e armëve të zjarrit. Policia ka marrë masat, është sekuestruar arma, është kapur autori dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore’- tha për mediat lokale, Edmond Pjetraj, drejtuesi i komisariatit të Lushnjës.

Në dëshminë e parë për hetuesit, Nazif Musai deklaroi se vëllai i vogël e ka goditur disa herë, duke e vënë poshtë, kështu u detyrua të nxirrte armën. I moshuari tha se debatet për tokën kanë qenë të vazhdueshme mes tyre.

Ai i ka thënë grupit hetimor se në fakt ishte lajmëruar disa herë policia për atë sherr mes tyre, por sa herë është shkuar në komisariat, policia i ka kthyer mbrapsht duke iu thënë ta zgjidhnin vetë me qetësi konfliktin.