Një shqiptar është dënuar me 12 muaj burg në Angli. Mediat vendase raportojnë se bëhet fjalë për 39-vjeçarin Shpëtim Hysenlikaj, i cili qëndronte ilegalisht në tokën e Mbretërisë së Bashkuar.
Shqiptari akuzohet për rritje dhe kultivim të lëndëve narkotike, kryesisht kanabis në zonën e Gloucester. Prokurori i çështjes, Brendan Moorhouse është shprehur se çdo dhomë e shtëpisë ishte konvertuar dhe shërbente për prodhimin dhe rritjen e kanabisit.
Policia britanike arrestoi shqiptarin nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa gjatë kontrolleve atij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale mbi 160 rrënjë kanabis, i cili ishte në faza të ndryshme të zhvillimit. Sipas përllogaritjeve, nëse droga do të dilte në tregun e zi kapte shifrën e 132,720 euro.
Në gjykatë avokati mbrojtës tha se shqiptari punonte si “kopshtar” dhe vështirësitë për të përballuar jetesën e detyruan të ndërmarrë këtë rrugë.





