Një shqiptar 44-vjeçar ka ndërruar jetë në aeroportin e Milanos, si pasojë e një ataku kardiak.
Por familja e tij, përmes avokatit ka denoncuar policinë italiane.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aeroportin e Malpensës në Milano, ndërsa shqiptari ishte për pushime në vendin fqinjë, së bashku me gruan.
Siç shkruan La Repubblica, Aldo Laçi, 44 vjeç ishte nën efektin e kokainës dhe ka nisur të vrapojë nëpër terminal.
Ai është ndjekur për disa metra nga policët italianë dhe më pas është rrethuar nga 5 të tillë, të cilët e kanë shtrirë përtokë. Në momentin që ata po i vendosnin prangat, ai ka pësuar një sulm në zemër, duke humbur jetën.
Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së aeroportit (shih videon). Avokati i familjes Enzo Lepre ka denoncuar autoritetet italiane duke deklaruar se pavarësisht gjendjes së acaruar të 44-vjeçarit, vdekja e tij erdhi si pasojë e sulmit nga ana e policisë. Sipas avokatit, në pamjet filmike duket qartë që Laçi është goditur më parë në kokë, pastaj në trup dhe madje edhe kur ka qenë i shtrirë në tokë ai është goditur sërish nga policët.
Sipas prokurorisë nuk ka prova që të mbështesin faktin se vdekja e shqiptarit është shkaktuar si pasojë e dhunës së policisë, por është shkaktuar nga overdoza e lëndës narkotike që ai kishte konsumuar.
Gjithsesi familja e shqiptarit është e vendosur ta ndjekë çështjen edhe më tej.





