Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar të akuzuarin për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, Artur Gashin. Bëhet me dije se gjatë seancës tre gjyqtaret e GJKKO vendosen ta dënojnë Artur Gashin me 6 muaj burgim.
Gjithashtu mësohet se për shkak për aplikimit të gjykimit të shkurtuar, Gashi do të kryej katër muaj burg. Nga ana tjetër, në vendim theksohet se këtij dënimi do t’i zbriten edhe ditët që ka kryer në masën “arrest shtëpie”.
Njoftimi:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin në gjyq të procedimit penal me nr. 249/2020, në ngarkim të të pandehurit Artur Gashi, për akuzën “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal
Gjykimi i kësaj heshtje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Ardit Mustafaj dhe Bib Ndreca, me vendimin Nr. 66, datë 05.11.2024 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Gashi për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, para ndryshimeve që janë bërë me ligjin nr.43 të vitit 2021 dhe dënimin e tij me 6 muaj burgim.
2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Artur Gashi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht dënohet me 4 muaj burgim.
Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi duke mbajtur në konsideratë edhe kohën e qëndrimit në masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, dhe do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.