Në vijim të operacionit “Ranishtja 4”, në kuadër të të cilit u arrestuan 12 shtetas dhe u shpallën në kërkim 11 shtetas të tjerë, kapet dhe ndalohet një prej të shpallurve në kërkim.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko – Financiar në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Drejtorinë  Operacionale në Policinë e Shtetit si dhe me Sektorin për Hetimin e Korrupsionit në Departamentin e Policisë Kriminale,  është bërë kapja dhe ndalimi i Nikoll Tinaj, 58 vjeç, banues në Ishull Shëngjin – Lezhë.

Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë me Vendim Nr.104 datë 26.03.2018, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim.

Për skandalin me pronat në plazhin ‘Rana e Hedhun’, u akuzua si i përfshirë edhe kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj. Frrokaj u arrestua bashkë me 11 zyrtarë të tjerë të bashkisë dhe Hipotekës, ndërsa më pas u la në 'arrest shtëpie' me 9 zyrtarë të tjerë për mungesë provash dhe mbetën në burg vetëm noteri i Hipotekës dhe juristi i bashkisë.