Gjykata e Tiranës caktoi masën detyrim për paraqitje për Ilir Hamedanin, i arrestuar gjatë protestës së opozitës të martën.

Sipas prokurorisë, Hamedani me veprime të dhunshme ka bllokuar lëvizjen e një mjeti dhe ka goditur drejtuesin e tij.

Ndaj tij rëndojnë dyshimet për “pengim të qarkullimit të mjeteve”, “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “dëmtime të tjera me dashje”.

Kujtojmë se për protestën e zhvilluar më 26 nëntor, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Luan Baçi, Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Saimir Korreshi, Asllan Dogjani, Albana Vokshi, Petrit Vasili, Petrit Doda, Isuf Çela, Andia Ulliri, Greta Bardeli, Lindita Metaliaj (deputetë) për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”.

Ndaj Nokës rëndon dhe akuza “Goditjet për shkak të detyrës”.

Gjithashtu në gjendje të lirë është proceduar edhe Ervin Minarolli, me detyrë Sekretar për Organizimin dhe Burimet Njerëzore pranë subjektit politik Partia Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Përveç zyrtarëve të opozitës, janë proceduar penalisht edhe 64 protestues.